Shkolla fillore “ Sami Frashëri “është e vendosur në fshatin Gllumovë. Fshati Gllumovë shtrihet në rrugën Saraj-Matkë pranë lumit Treska dhe liqenit Treska. Fshati i takon Komunës së Sarajit, respektivisht trevës së Dervenit.Për nga karakteri ekonomik ky lokacion është më tepër bujqësor por deri diku edhe turistik. Në afërsi të fshatit Gllumovë gjendet edhe fshati Shishovë i cili poashtu ka karakter të zhvillimit ekonomik bujqësor . Edhe fshati i tretë Matkë e epërme që bën pjesë në këtë lokacion, është fshat më kodrinoro-malor dhe ka karakter bujqësoro-blegtoral. Përndryshe i tërë ky territor ku shtrihen shkolla qendrore në fshtain Glumovë dhe dy shkollat periferike në përbërje të saj, në fshatin Shishovë dhe Matkë, nuk është ekonomikisht aq i zhvilluar, nuk ka objekte të rëndësishme industrial-ekonomike, përveç hidrocentralit Matka dhe liqenit Treska si lokacion rekreativo-turistik. Popullata,  respektivisht prindët e nxënësvepjesërrisht merren me bujqësi dhe një pjesë e tyre janë të punësuar nëpër organizata e ndërmarrje të ndryshme, por ka mjaft prind që nuk janë të punësuar dhe përbëjnë grupin e të rrezikuarve social. Përndryshe ky regjion i Komunës së Sarajit ka një zhvillim relativisht mesatar ekonomik.

Duke u nisur nga performansat natyrore që i posedon ky rajon, e në veçanti fshatrat ku gjendet shkolla fillore “ Sami Frashëri “si dhe me themelimin e Komunës së Sarajit, ligjit të ri për decentralizim dhe iniciativat e ndryshme, krijohen mundësi reale dhe optimal për zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm ekonomik, kulturor, arsimor, shëndetësor, etj. Në këtë mjedis me perspektivë, arsimi zhvillohet vetëm në kuadër të shkollës fillore “ Sami Frashëri “në fshatin Gllumovë dhe dy shkollat periferike në fshatin Shishovë dhe Matkë. Këto tre shkolla janë të themeluara në vitin 1945, me emrin e shkollës ,,Ylli,, si shkolla fillore katërvjeçare,periferike të shkollës fillore qendrore ,,Boris Kidric,, Saraj. Prej vitit 1971 në Gllumovë hapet shkolla tetëvjeçre, ndërsa në Shishovë dhe Matkë mbeten vetëm si katërvjeçare, ku edhe sot funksionojnë si të tilla. Që prej themelimit të tyre e deri më sot, një periudhë si të veçanta e mandej edhe të integruara në një shkollë qendrore, këto objekte edukativo-arsimore në çdo aspekt kanë shënuar një zhvillim permanent në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri. Krahas rritjes së numrit të nxënësve,si rezultat edhe i rritjes së numrit të popullatës, janë zgjeruar edhe lokalet e shkollave.

Në të tre fshatrat u ndërtuan objekte të reja ( në fshatin Gllumovë dhe Matkë në vitin 1972-73, ndërsa në Shishovë në vitin 1986/87) dhe në këtë mënyrë u krijuan kushte më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimorë. Poashtu vazhdimisht janë bërë riparime dhe përmirësime në të tri objektet shkollore, mirëmbajtjen e tyre dhe krijimin e ambientit sa më të përshtatshëm për nxënësit.

Shkolla qendrore së bashku me ato periferike disponon me një sipërfaqe shfrytëzuese prej afro 890 m2, në formë të lokaleve shkollore dhe 2 sipërfaqe tokësore punuese me mbi 3000 m2 (në fshatin Shishovë).

Me zhvillimin e infrastrukturës rrugore në mes tre fshatrave, dukshëm është përmirësuar edhe qarkullimi i nxënësve nga fshati Shishovë dhe Matkë në shkollën qendrore në fshatin Gllumovë. Nga fshati Matkë që ka një largësi prej afro 5 km nga shkolla qendrore në f. Gllumovë, nxënësit transportohen në mënyrë të organizuar-me kombibus që finansohet nga Ministria e arsimit, respektivish nga Komuna Saraj, e të cilët deri në vitin 1997 kanë udhëtuar me këmbë. Të theksojmë se në fshatin Gllumovë mësimi prej klasës së parë deri në klasën e tetë është zhvilluar në gjuhën shqipe, ndërsa në fshatin Shishovë deri në klasën e katërt edhe në gjuhën maqedone. Në fshatin Matkë prej klasës së parë deri në të katërtën mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe. Të theksojmë se nga shkolla fillore  “ Sami Frashëri “ f. Gllumovë, e cila para se të emërohet me këtë emër në vitin 1994 ka ndërruar disa emra, kanë dalë mjaft gjenerata të suksesshme nxënësish të cilët për rezultatet e arritura janë shpërblyer nëpër shumë gara në nivel komunal, të qytetit të Shkupit, Republikan dhe më gjërë. Vlen të përmendet se pas kryerjes së arsimit fillor një numër i madh i nxënësve vazhdojnë në shkolla të mesme dhe fakultete. Një numër i tyre sot janë arsimtarë në këtë shkollë ku me sukses realizojnë procesin edukativo-arsimorë. Me zhvillimin edhe më të madh të përgjithshëm ekonomik, decentralizimin e suksesshëm dhe krijimin e subjektit komunal efikas bazik në këtë shkollë do të zhvillohët edhe më tepër dhe më me sukses.